“Republika e Iliridës”, një temë e harxhuar

“Republika e Iliridës”, një temë e harxhuar

“Ideja për krijimin e “Republikës së Iliridës” nga viti 1992 deri më sot në mënyrë të ndryshme riafirmohet në periudha turbulente dhe sensitive për shtetin. Edhe riafirmimi i fundit i kësaj ideje është njëjtë si ato të mëparshmet. “Iliridën” e ka komentuar edhe Zaevi. Ai javë më parë tha se në Maqedoninë e Veriut nuk kalojnë tashmë filozofitë e Janko Baçevit dhe Iliridës
Përveç riafirmimit të idesë së vjetër, nga “Lëvizja Ilirida” paralajmërojnë se po i bëjnë përgatitjet e fundit që kjo lëvizje të regjistrohet si parti politike, që të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme. “Në mënyrë që të regjistrohemi si parti politike dhe të marrim pjesë në zgjedhjet dhe fushatën zgjedhore, ne do të paraqesim kërkesën për federalizim të shtetit dhe nëse fitojmë votat e qytetarëve, automatikisht do të formojmë Parlamentin e Iliridës, i cili do të funksionojnë si Republikë e dytë në kuadër të Maqedonisë “, deklaroi Bexheti.

Analisti politik Arben Llalla thotë se tregu i partive politike është i hapur, mund të konkurrojnë, por mos ta ushqejnë popullatën me iluzionin se kanë dalë me gjoksin për të bërë gjëra të mëdha. “Njerëzit janë të lirë të themelojnë parti, shoqata, etj., por jo duke konsumuar çështjen kombëtare për përfitime personale, duke dëmtuar proceset demokratike shqiptare në Maqedoni. Tashmë shumica e shqiptarëve e dinë se si fitohen të drejtat dhe rruga e bashkimit tonë. Shqiptarët në Maqedoni përtej probleme që kanë me Institucionet shtetërore të cilat nuk zbatojnë ligjet e votuar në Kuvend, janë në rrugë të mbarë, gurët e mozaikut po vendosen ashtu siç duhen. E ardhmja e Maqedonisë është një vend që shqiptarët do ndihen të barabartë dhe zotër me bashkëthemeluesit e tyre të shtetit”, shprehet Llalla.


Arben Llalla thotë se idetë e tilla në këto kohëra nuk pinë ujë, sidomos kur shohim se cilët persona janë promotorë të “Iliridës”.
“Nëse shikoni me kujdes, cilët janë sot këta që duan Iliridën ta kthejnë në parti? Janë të njëjtët njerëz që kanë bredhur sa në një parti në tjetrën, sa në një organizatë në tjetrën për përfitime të vogla personale. Janë njerëz të dëshmuar se janë të dështuar në fushën e politikës, që nuk u besojnë votën dhe fjalëve të tyre. Janë disa profesor pensionistë që përtej lëndës mësimore që janë paguar asgjë si kanë ofruar kombit shqiptar. Pse këta do i zgjidhin hallet dhe çështjet e shqiptarëve në Maqedoni pasi nuk i dëgjon më askush? Ilirida Republikë, qeveria e Iliridës, etj., jemi mësuar ti shohim ndër vite, këta që çirren për Iliridën sa herë që i duhet LSDM dhe VMRO ndonjë shkak për të frenuar proceset e përparimit të shqiptarëve, janë njerëz që i kanë dhënë përkrahje LSDM dhe VMRO, të afërt me pushtetin e tyre që pas viteve 1945 e në vazhdim. (Drejtuesit e LSDM dhe VMRO janë trashëgimtarët e drejtuesve të Maqedonisë Jugosllave)”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist


Edhe kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për Klan Maqedoni, duke komentuar nismën në fjalë, tha se në Maqedoninë e Veriut nuk kalojnë tashmë filozofitë e Janko Baçevit dhe Iliridës, ndërsa shton se BE-ja duhet të na motivojë dhe më 22 qershor të na shpërblejë me fillimin e negociatave. “Përgjigjen e projekteve për shtete të mëdha dhe kufij të reja në Ballkan duhet ta jep BE me forcimin e proceseve euroatlantike për rajonin. Projektet nacionaliste si ato që po promovohen në disa nga nonpejperët ose si kjo për “Iliridën”, nuk kalojnë dhe nuk do të fitojnë as kryetarë të bashkësisë lokale, e të mos flasim për këshilltarë në komuna ose deputet”, theksoi Zaevi. (koha.mk)

Lajme Maqedoni