Një euro për tokën e shtetit

Një euro për tokën e shtetit

Me vendosjen e zgjidhjes së re ligjore në “Ener”, apo në regjistrin kombëtar elektronik të ligjeve, filloi edhe zyrtarisht procedura për shitjen e tokës bujqësore në pronësi të shtetit. Propozim-ligji për shitjen e saj, pritet të jetë gati deri në fund të muajit maj

Fisnik PASHOLLI

Me vendosjen e zgjidhjes së re ligjore në “Ener”, apo në Regjistrin kombëtar elektronik të ligjeve, filloi edhe zyrtarisht procedura për shitjen e tokës bujqësore në pronësi të shtetit. Propozim-ligji për shitjen e tokës shtetërore pritet të jetë gati deri në fund të muajit maj. Pritshmëritë janë se shteti do të përfitojë afër 300 milionë euro nga kjo shitje. Sipas propozim-ligjit, do të mund të blihet maksimalisht deri 50 mijë hektarë tokë me çmim fillestar të ankandit prej 1 euro për tokë bujqësore të klasit një dhe dy, 0.50 euro për tokë bujqësore të klasit 3 dhe 4 kadastral dhe 0.20 euro për kategorinë prej 5 deri 8. Në rast se toka bujqësore gjendet në lartësi mbidetare prej mbi 700 metra, çmimi fillestar do të ulet për 30 për qind.

Të drejtë të marrin pjesë në thirrjet publike për shitje kanë personat fizik që janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe personat juridike që janë rezident në Maqedoni, dhe tek të cilët pronësia e aksioneve apo pjesëmarrjeve në përqindje duhet të jetë me së paku 51 për qind në pronësi të personave fizik që janë shtetas të Maqedonisë, ose të personave juridik rezident në Maqedoni që nuk janë përfaqësi të personave të huaj juridik. Gjithashtu, ligji përcakton ndër të tjerash që shitblerja e tokës bujqësore në pronësi të shtetit të mund anulohet nëse përcaktohet se pronësinë e kanë fituar persona të huaj fizik dhe juridik, që nuk mund të fitojnë të drejtën e pronësisë të tokës shtetërore bujqësore në pronësi të shtetit në bazë të këtij ligji.

GJYSMA E TË HOLLAVE PËR KOMUNAT

Mjetet e fituara nga shitja – 49 për qind i takon shtetit, 49 për qind i takon komunës dhe 2 për qind i takon Ministrisë së Bujqësisë për harxhimet procedurale. Njëherësh, toka e lirë bujqësore në pronësi të shtetit mund të shitet edhe me nënshkrimin e marrëveshjes direkte për realizimin e projektit strategjik investues të miratuar në bazë të Ligjit për investime strategjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ekzekutivi ka paralajmëruar se pret që në arkën e shtetit të hyjnë 200 deri 300 milionë euro nga shitja e tokës shtetërore bujqësore në dy tre vitet e ardhshme.

Kohë më parë, kryeministri Zoran Zaev deklaroi se privatizimi i tokës bujqësore do të zhvillohet nën kushte të caktuara dhe ka për qëllim të vendoset në funksion të zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës, nxitjes së prodhimtarisë vendore, rritjes së eksportit etj. “Në radhë të parë, kjo tokë nuk do të mund të urbanizohet apo të dedikohet për diçka tjetër, përveç se për veprimtari bujqësore, ndërsa nuk do të mund shiten më pak se dhjetë hektarë. Nëse pronari i ri i tokës bujqësore, të njëjtën nuk e punon apo nuk e jep me qira, ai do të paguajë tre herë tatim më të madh”, thekson Zaev. Sipas tij, planifikohet që deri në fund të muajit qershor të përfundojë debati lidhur me zgjidhjet ligjore, ndërsa me përfundimin e krizës – të avancohet më tej ky proces. Analizat tregojnë se toka shtetërore në pronësi të shtetit vlen më shumë se dy miliardë euro, ndërsa me privatizimin e së paku 10 për qind të saj, priten të fitohen mbi 200 milionë euro.

Tokën, krahas fermerëve dhe firmave vendore, do të mund të blejnë edhe firmat me pjesërisht apo tërësisht kapital të huaj, por që janë të regjistruara si kompani vendore.

Jozyrtarisht përflitet se ka edhe kompani nga Katari dhe shtetet e tjera të Lindjes së Mesme që kanë shprehur interesimin për kultivimin e qengjave dhe prodhimin e mishit të qengjave,apo për kultivimin e lopëve që kanë qenë të interesuara për blerjen e parcelave më të mëdha se 3000 hektarë si kullosa dhe të ngjashme.

KROACIA SËRISH ANULON SHITJEN E TOKËS BUJQËSORE PËR TË HUAJT

Nga shtetet e rajonit, Kroacia ka anuluar deri në vitin 2023, mundësinë e blerjes së tokës bujqësore shtetërore për të huajt. Paraprakisht, një ndalesë e tillë ishte e vlefshme prej vitit 2013 kur Kroacia u anëtarësua në BE deri në vitin 2020. Periudha kalimtare që skadoi në qershor të vitit 2020, ishte përcaktuar për shkak të pengimit të rritjes së çmimit të tokës bujqësore në Kroaci pas anëtarësimit në BE, që si proces mund të vinte për shkak të fuqisë më të madhe blerëse të shtetasve të disa nga vendet anëtare të BE-së. Kjo do të vështirësonte që bujqit kroat të jenë përfitues dhe pronar të tokës bujqësore, si dhe do të ngadalësonte ristrukturimin e sektori bujqësor, sqarojnë nga Ministria Kroate e Bujqësisë.

Nga atje shtojnë se me marrëveshjen e aderimit në BE, parashikohet mundësia e zgjatjes së periudhës kalimtare shtatëvjeçare,edhe për tre vjet në rast se dëshmohet se tregu kroat i tokës bujqësore akoma nuk është mjaftueshëm stabil, dhe se akoma ekziston rreziku nga rritja e dukshme e çmimit në rast të hapjes së tij për nënshtetas të huaj. Njëherësh, edhe aktualisht të huajt mund të blejnë tokë shtetërore bujqësore në Kroaci, por vetëm nëse hapin firmë dhe nën kushtin e reciprocitetit, ajo që vlen për një të huaj, vlen edhe për një kroat jashtë shtetit. Apo me fjalë të tjera , në rast se një subjekt juridik nga jashtë themelon firmë në Kroaci, ai duhet të punësojë dhe paguajë tatime dhe nuk mundet të blejë tokë dikush nga jashtë pa seli të firmës dhe qëndrim në Kroaci.

SERBIA ME KUFIZIME TË SHUMTA

Në Serbi, nënshtetasit e huaj mund të blejnë tokë bujqësore por me kufizime të caktuara. Një nënshtetas i BE-së , mund të blejë tokë bujqësore në Serbi, me kusht që të ketë leje qëndrimi prej dhjetë vitesh në komunën ku dëshiron të blejë tokën, të punojë tokën që e blen së paku tre vite, të ketë të regjistruar ekonomi bujqësore makineri dhe pajisje për të kryer prodhimtarinë bujqësore . Të huajt nga BE, mund të blejnë më së shumti dy hektarë tokë bujqësore, ndërsa shitja e saj ndalohet në zonën prej dhjetë kilometrash nga kufiri shtetëror.

Njëherësh në një pjesë të tokave punuese në Serbi, të huajt nga BE dhe jashtë saj, kanë qenë pronarë edhe para miratimit të ligjit të vitit 2017, mirëpo ato janë bërë pronarë me blerjen kompanive bujqësore dhe në bazë të ligjeve të tjera që kanë qenë në kolizion me ligjin e vjetër për tokë bujqësore. Me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit të vitit 2017, Serbia anuloi liberalizimin paraprak të tërësishëm të shitblerjes së tokës bujqësore. Nga ana tjetër, shtetet anëtare të BE-së kanë pasur përvoja të ndryshme me shitjen e tokës bujqësore ndaj të huajve, mirëpo shumica kanë anuar ndaj mbrojtjes së interesave kombëtare dhe vizionit të zhvillimit të bujqësisë në mënyrë të qëndrueshme si degë e rëndësishme ekonomike.

PËRVOJAT NGA VITI 2003 I ANËTAREVE TË REJA

Gjatë anëtarësimit të Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë në vitin 2003, parashikohej një afat kalimtar prej 12 vitesh për blerjen e tokës bujqësore për të kufizuar ndikimin negativ ndaj zhvillimit të bujqësisë apo përkufizimit të investimeve të huaja në këtë sektor. Hungaria në vitin 2012, në kushtetutë ka vendosur ndalesën për të huajt për blerjen e tokës bujqësore nën arsyetimin se ajo mbrohet si pasuri kombëtare. Me marrëveshjen e aderimit të nënshkruar në vitin 2005 me Bullgarinë dhe Rumaninë , parashikohet fazë kalimtare prej 7 vitesh, mirëpo në këto shtete nuk ekziston ndalesë totale për shitjen e tokës bujqësore, përderisa deputetët bullgar në vitin 2013, konfirmuan se deri në vitin 2020 ndalohej blerja e tokës për të huajt. (koha.mk)

Lajme Maqedoni