BE propozon lehtësimin e kufizimeve për udhëtarët

BE propozon lehtësimin e kufizimeve për udhëtarët

Zyrtarët e Bashkimit Evropian propozuan të hënën zbutjen e kufizimeve për udhëtarët që duan të vizitojnë bllokun prej 27 anëtarësh ndërsa fushata për vaksinimin ka marrë hov në atë kontinent

Aktualisht, udhëtimi drejt vendeve të bllokut është jashtëzakonisht i kufizuar, me përjashtim të një numri të vogël vendesh me shkallë të ulët infeksioni. Por me afrimin e sezonit turistik, Komisioni Evropian shpreson që rekomandimet e reja do të zgjerojnë në mënyrë dramatike numrin e atyre vendeve.
“Komisioni propozon lejimin e hyrjes në Bashkimin Evropian për arsye jo-të-domosdoshme, jo vetëm për individët që vijnë nga shtetet me situatë të mirë epidemiologjike, por gjithashtu për njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të vaksinës së autorizuar nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Vaksinat kundër koronavirusit të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), rregullatori i bllokut, përfshijnë vaksinat e kompanive Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. EMA nuk ka miratuar asnjë vaksinë nga Rusia apo Kina, ndërsa po shqyrton të dhënat për vaksinën ruse Sputnik V.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian besojnë se fushata e vaksinimit të bllokut do të ketë së shpejti efektin e duhur në luftën kundër virusit vdekjeprurës. Propozimi për zbutjen e kufizimeve do të diskutohet këtë javë me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Komsioni Evropian shpreson që propozimi të hyjë në fuqi deri në qershor.
Vendet e Bashkimit Evropian gjithashtu mund të vendosin në mënyrë individuale për të pranuar udhëtarë të imunizuar me vaksinat e rekomanduara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH ka miratuar përdorimin e vaksinave të njëjta që ka miratuar EMA, dhe pritet që së shpejti të marrë një vendim mbi vaksinën kineze Sinopharm.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Adalbert Jahnz, tha se udhëtarët e vaksinuar plotësisht që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian duhet të lejohen të vizitojnë Evropën. Ai këmbënguli se propozimi nuk synon përjashtimin e tyre nga testimi apo karantinimi pas mbërritjes. “Kjo varet nga vendet anëtare”, tha ai.
Komisioni po ashtu propozoi rritjen e pragut të shkallës së infektimeve të reja që aktualisht përdoret për të përcaktuar se nga cilat vende lejohen të gjitha udhëtimet.

Lajme