E quajti kineze, Yuri Kim ”lë pa fjalë” komentuesin, e fton ti shkojë në zyrë

E quajti kineze, Yuri Kim ”lë pa fjalë” komentuesin, e fton ti shkojë në zyrë

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka ftuar një komentues për takim në zyrën e saj, për shkak se ky i fundit i kishte ngatërruar vendin e lindjes.

Ambasadorja Kim kishte postuar një foto me këngëtaren Ermira Babaliu, të cilën ajo ka rrëfyer se e kishte takuar gjatë një udhëtimi në avion dhe ritakuar më pas në Pogradec.

Në foton në fjalë, një përdorues i Instagramit kishte shkruar se “dashuria shqiptaro-kineze është një histori e vjetër”.

Mirëpo ambasadorja nuk ka qëndruar indiferente kundrejt këtij komenti dhe e ka ftuar komentuesin në zyrën e saj, në Ambasadën Amerikane për të diskutuar mbi shtetësinë e saj, që në fakt është koreano jugore.

“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’ju tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze”. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, i është përgjigjur ambasadorja Kim.

Pas këtij komenti nga ambasadorja, komentuesi është përgjigjur se ndihej i privilegjuar për këtë ftesë të pazakontë.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim është me origjinë nga Koreja e Jugut, familja e saj emigroi në ishullin e Guamit në paqësor, i cili është territor i SHBA-ve.

Lajme Shqipëri