Detaje dhe fakte: Si Edi Rama po shet detin te Greqia për interesa okulte!

Detaje dhe fakte: Si Edi Rama po shet detin te Greqia për interesa okulte!

E mbajtur e fshehtë deri përpara zgjedhjeve të 25 prillit dhe e riaktivizuar pikërisht tani kur Shqipëria kërkon ‘me domosdo’ hapjen e negociatave me BE-në, çështja e ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, duket se është rikthyer në dritë.

Nëse kryeministri Edi Rama më herët është përbetuar se nuk ka asnjë marrëveshje politike me Greqinë e as bisedime, por se gjithçka do të vendoset në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ministri i Jashtëm i Greqisë shfaqet ndryshe, të paktën për çështjen e delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike.

Së fundmi Niko Dendias ka folur për mediat greke për këtë çështje dhe është pyetur për ecurinë e bisedimeve, nënshkrimin e një peticioni të përbashkët, për një apel në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe sa afër janë dy vendet me marrëveshjen. Pak kush nga mediat këtu në Shqipëri e kapi, por kryediplomati grek konfirmon se ka edhe marrëveshje, edhe bisedime.

‘Marrëveshja politike për referimin e çështjes së delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është arritur nga Tetori i kaluar. Për sa i përket çështjeve teknike, duhet hartuar dhe kërkesa përkatëse. Organet kompetente të të dy vendeve vijojnë konsultimet për hartimin e këtij teksti’, tha Dendias në një intervistë për gazetën ‘Parapolitika’

Pra ajo që deklaroi Edi Rama se Greqia po shkon vetë në Hagë dhe ne ‘të pavarur’ nga ana tjetër,  nuk është e vërtetë.

Është vetë ministri i Jashtëm i Greqisë që konfirmon se të dy vendet do të shkojnë në gjykatë me një tekst të përbashkët, i cili ende po përpilohet nga një ekip i përbashkët!

Pikërisht te ky detaj ‘fshihet djalli’ dhe pikërisht këtë fakt na ka fshehur kryeministri i vendit, duke e çuar çështjen e detit në gjykatën ndërkombëtare me fat të paracaktuar në favor të Greqisë.

Bëhet fjalë për atë territor detar shqiptar, i cili përfshin rezerva të mëdha të gazit dhe naftës, me përmasa të paspecifikuara. Loja që po bën Greqia është shtrëngesa dhe domosdoshmëria që ka Edi Rama për të hapur negociatat, në mënyrë që të mund të tregojë se ishte ai që siguroi hapjen me BE. Po ndodh si me Maqedoninë e Veriut, veçse në rastin tonë nuk bëhet fjalë për ‘emra’ por për sipërfaqe të mëdha deti të pasur me hidrokarburante.

Qëllimi është gjithashtu që të merren më shumë para nga BE, sepse Shqipëria është e falimentuar. Problemi është përshkruar mjaft mirë në faqen 60 të dokumentit të BE, por asgjë nuk është kontrolluar. Ky është një traktat sipas ligjit ndërkombëtar, por duhet që fillimisht t’u paraqitet presidentëve të shteteve dhe parlamenteve përpara se të ratifikohet.

Nga ana tjetër që prej një viti në gjithë Mesdheun ka ‘plasur’ nafta dhe gazi, të cilat po rrezikojnë konflikte të pa parashikueshme, veçanërisht mes Turqisë dhe Greqisë të mbështetur nga Franca.

Vetëm deti ynë, duket sikur nuk ka gjë prej gjëje; vetëm ujë dhe peshq!

Në fakt lufta po bëhet mes gjigantëve botërorë të hidrokarbureve të cilët lobojnë edhe në kancelaritë e Europës për të heshtur, nëse palët bien vetë dakord. Të përfshira janë edhe kompani ku Xhorxh Soros është aksionier.

Vetëm në këtë këndvështrim mund të zbulojmë se 12 miljet që Greqia na i bëri fakt të kryer natën e fundit të vitit 2020, janë epilog i marrëveshjes me Ramës dhe Tsipras. Është e njëjta ‘xhaketë’ që qepën në 2018-ën, veçse sot e kthyer mbrapsht, me penj e model të ri!

Greqia po synon që të veprojë me detin Jon sipas parimit; ‘Hapësira e askujt, është e gjithkujt’ dhe me vendim parlamenti u shty deri 12 milje. Rama e përshëndeti këtë hap të njëanshëm dhe deklaroi se ‘është në të drejtën e Greqisë të shtrihet në ujërat ndërkombëtare’.

 Por në rastin konkret, këto ujëra ndërkombëtare apo ky ‘det i askujt’ është mes Greqisë dhe Shqipërisë. Rama nga ana tjetër bën ‘specialistin’ dhe thotë, se nuk preket kufiri ynë detar, (i cili në fakt nuk është ndarë ende) dhe për këtë do të vendoset në Hagë.

Por kur të ndahet, ‘hapësira e askujt’ ka për të qenë shumë më e vogël se çfarë është tani. Nëse përdorim shembullin e vetë Ramës që ka marrë përsipër alibinë e grekëve; (atë të një rruge që ndan dy lagje dhe që nuk është e askujt por është njëkohësisht edhe e gjithkujt), del që ne të lagjes shqiptare, do kemi një hapësire cik për cik me portën e shtëpisë deri në brigjet e Ksamilit dhe gjirin e Vlorës!

Më kryesorja (përveç qiellit lart), trilionat e gazit që janë zbuluar si rezerva në këtë ‘hapësirë të askujt’, nuk do të jenë më ‘të gjithkujt’ (Shqipëri-Greqi), por vetëm të grekut dhe kompanive që kanë mbyllur pazaret.

 Dhe `më e bukura`, e gjithë kjo po bëhet pa firmë presidenti, pa ratifikim parlamenti dhe vetëm duke shkuar të dakortësuar me Greqinë (siç zbuloi Dendias, e që Rama na e fsheh) në Gjykatën e Hagës, e cila dihet se si do të vendos në këto kushte.

Lajme Shqipëri