Rihapet loja për Beratin, KAS do të marrë në shqyrtim materialet zgjedhore. Rihapen 24 kuti

Rihapet loja për Beratin, KAS do të marrë në shqyrtim materialet zgjedhore. Rihapen 24 kuti

Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet në KQZ ka vendosur që të pranojë pjesërisht kërkesën e PD dhe LSI-së për qarkun e Beratit, duke marrë në shqyrtim materialet zgjedhore, për të parë në rast se ka parregullsi.

KAS vendosi që KQZ të rihapë ditën e hënë 24 nga kutitë e Qendrave të Votimit në Berat, për të parë nëse ka shkelje në proceverbale dhe në materialet e tjera zgjedhore që janë dorëzuar.

Ndërkohë që ndryshe nga sa kërkoi Partia Demokratike, në qarkun e Beratit nuk do të ketë rivotim, megjithë pretendimet e ngritura, se ka pasur blerje të votave, dhe manipulim nga partia në pushtet.

Lëvizja Socialiste për Integrim pretedoi se në Qarkun e Beratit kësaj force politike iu mor mandati për 77 vota, duke akuzuar për shkelje të rënda gjatë procesit të votimit.

Mbetet për t’u parë tashmë nëse nga rihapja e 24 kutive ditën e hënë do të ketë indicie që mund të çojnë KAS-in në hapjen e qendrave të tjera të votimit, apo siç pretendon LSI të ketë një rinumërim të votave, duke iu referuar materialeve filmike.

Gara qe e fortë në Berat, ku PS arriti që ti merrte LSI-së mandatin e pretenduar vetëm në kutite e fundit që u emëruan, duke i dhënë Blendi Klosit një tjetër 4 vjeçar në Kuvend.

Lajme Shqipëri