Armenia thotë se jo të gjitha trupat azere u larguan nga territori i saj, kërkon ndihmë ushtarake nga Rusia

Armenia thotë se jo të gjitha trupat azere u larguan nga territori i saj, kërkon ndihmë ushtarake nga Rusia

Armenia tha të premten se Azerbajxhani nuk e ka përmbushur në mënyrë të plotë premtimin për tërheqjen e trupave që e kanë kaluar kufirin në një incident të kontestuar dhe tha se ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia.

Gjashtë muaj pas luftimeve më të rënda në dekadat e fundit mes Azerbajxhanit dhe frocave etnike armene, incidenti kufitar i kësaj jave e dëshmoi brishtësinë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia, me anë të të cilin u ndërprenë luftimet në nëntorin e vitit të kaluar.

Armenia e ka akuzuar Azerbajxhanin për dërgimin e trupave përtej kufirit. Azerbajxhani e ka mohuar këtë akuzë dhe ka thënë se forcat e tij vetëm e kanë mbrojtur anën e tyre të kufirit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Dje u arrit një marrëveshje që sot forcat e armatosura të Azerbajxhanit duhet të largohen nga territori armen. Kjo marrëveshje është përmbushur pjesërisht. Ka territore nga të cilat azerët vërtet u larguan, por pasi marrëveshja nuk u plotësua tërësisht, sot unë kam kontaktuar me presidentin e Rusisë për asistencë ushtarake”, deklaroi kryeministri armen në detyrë, Nikol Pashinian.

Përmes një deklarate rreth kësaj telefonate, Kremlini tha se Putini i ka thënë Pashinianit se marrëveshja e armëpushimit duhet të zbatohet në mënyrë të prerë.

Pas arritjes së armëpushimit vitin e kaluar, Rusia dërgoi trupa paqeruajtëse për ta mbikëqyrur dhe zbatuar gjendjen e qetësisë. Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe lidhje të forta me këtë shtet, por raporte miqësore ka edhe me Azerbajxhanin.

Botë Lajme