KRONIKA E NJË “PAKTI” TË PARALAJMËRUAR

KRONIKA E NJË “PAKTI” TË PARALAJMËRUAR

Narracionet paraprake për numrin e shqiptarëve, të ngritura nga disa subjekte politike maqedonase, dhe jehona e jashtëzakonshme e regjistrimit te diasporës, duket se kanë qenë vendimtare për një “pakt” për shtyrje të regjistrimit. Arsyetimi për shtyrje ishte pandemia, por në opinion tashmë janë hedhur dyshimet për një fobi irracionale që ndërlidhet me numrin real të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mbetet të shihet në shtator, nëse prapa kësaj shtyrjeje qëndrojnë arsyetimet e “paarsyetuara” të pandemisë apo edhe njëherë ky operacion është futur në dhëmbëzoret e lojërave politike, jashtë domosdoshmërisë për një regjistrim objektiv dhe të pangarkuar në baza etnike. Pamjet e takimit homogjen etnik, gjegjësisht “paktit” të dy liderëve maqedonas për shtyrjen e regjistrimit, kanë lëshuar hije dyshime, ndërsa disa prononcimet e tipit “evidentim” për diasporën duket se japin shenja se mund të ketë komplikime të tjera për realizimin e regjistrimit.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Mbetet sentencial definimi se gjërat në politikë edhe atëherë kur duken të rastësishme në fakt nuk janë të rastësishme. Brenda kompleksitetit politik ngjarjet, ndodhitë, projeksionet u nënshtrohen dhëmbëzoreve të matematikave politike, të cilat mund të shfaqen me disa fytyra përpara opinionit, por që në fakt janë menduar të shfaqen si të tilla që në gjenezën e tyre.

Kështu ndodhi, siç duket, edhe me çështjen e regjistrimit, që tashmë ka një kronologji të paralajmëruar si tek romani i G. G. Markezit “Kronika e një vrasje të paralajmëruar”. Pikërisht kjo metaforë letrare merr kuptim edhe në çështjen që po trajtojmë, çështjen e regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, një proces që tashmë nuk mund të marrë një kahe normale në bazë të standardeve të përcaktuara.

Nuk do mend se çështja e regjistrimit mbetet jetike për një shtet, për shkak se në bazë të këtij operacioni statistikor projektohen zhvillimet kulturore, ekonomike, sociale dhe, përgjithësisht, shoqërore. Zakonisht në shtetet multietnike, sikundër është Maqedonia e Veriut, ky operacion statistikor merr edhe përmasa politike dhe në të njëjtën kohë edhe etnike. Fatkeqësisht, ne tashmë kemi një proces të dështuar të regjistrimit në vitin 2011, që akoma mbetet misterioz se pse u ndërpre, ndërkohë që shenja të tilla tashmë po shfaqen edhe me përpjekjen për ta realizuar regjistrimin edhe gjatë këtij viti, ashtu siç ishte paralajmëruar dhe ashtu siç ishte përcaktuar me ligj.

Ndërkohë kemi shtyrje të regjistrimit me arsyetime, të cilat u bënë të diskutueshme për shkak të mënyrës se si u bë kjo shtyrje, ndërkohë që paraprakisht me shumë forcë dhe decibela të ngritur ishte theksuar nga partitë në pushtet se regjistrimi do të realizohet.

Zanafilla e kësaj kronologjie, e cila rezultoi me shtyrjen e regjistrimit për në muajin shtator, shpërfaqi një debat dhe përplasje për miratimin e ligjit, i cili nga partitë opozitare maqedonase mbetej i papranueshëm, sidomos në formulimet që kishin të bënin me regjistrimin e diasporës. Pavarësisht nga këto debate, dukej se më në fund ligji ofroi një zgjidhje të mirë për regjistrimin e diasporës, e cila sipas ligjit tashmë do të ishte pjesë e numrit të përgjithshëm të popullatës së Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht, ky ligj i votuar nga të gjitha partitë shqiptare, u pranua në heshtje, por me kalimin e kohës, partitë opozitare maqedonase sikur filluan të ndërtojnë një lloj narracioni dyshues dhe kundërshtues mbi procesin e regjistrimit, duke hedhur mëlmesa arsyetimesh për kohën e mbajtjes së regjistrimit, pra pandemisë, por ndërkohë duke filluar haptazi të shfaqin kundërshtimin që diaspora të mos konsiderohet si kategori që përfshihet në numrin e përgjithshëm. Ky diskurs kundërshtues ndaj diasporës gradualisht u formulua në sintagmën “evidentim”, për ta përjashtuar kështu regjistrimin real të tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Siç dihet tashmë, pas fillimit të regjistrimit online të diasporës, ashtu siç e përcaktonte ligji, qëndrimet e VMRO-DPMNE-së dhe të partisë “E Majta” filluan të jenë më të drejtpërdrejta dhe më agresive në drejtim të minimit të procesit të regjistrimit, i cili pritej që të fillojë me 1 prill, ndërkohë që diaspora tashmë kishte filluar të regjistrohet dhe po shfaqte një interesim të jashtëzakonshëm.

Pikërisht në vlugun e kësaj dinamike të regjistrimit të diasporës dhe një jehone të paparë për t’u regjistruar me gjithë problemet teknike që po shfaqeshin, zërat për ndërprerje dhe shtyrje të regjistrimit po shtoheshin në bllokun opozitar maqedonas. Mbetet për t’u theksuar në këtë rast se pa ndonjë fushatë sensibilizuese nga ana e institucioneve të shtetit, diaspora po regjistrohej masivisht falë vullnetarëve të shumtë, të cilët përveç sensibilizimit që po bënin, në të njëjtën kohë po ofronin edhe ndihmë teknike për mërgimtarët. Një punë e jashtëzakonshme që kishte çuar numrin e regjistrimit të diasporës në gati 190 mijë të regjistruar.

Dhe, pikërisht në kohën kur duhej që regjistrimi të fillojë edhe brenda Maqedonisë së Veriut, në një takim të beftë, dy liderët e partive politike maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristian Mickovski, kumtuan shtyrjen e regjistrimit vetëm dytë para se të fillojë. Arsyetimi ishte se rrezikohen qytetarët në kohën e pandemisë, ndërkohë që ky takim i njëanshëm tashmë në opinion po interpretohej në variante të ndryshme, duke vënë theksin sidomos në jehonën e madhe të regjistrimit të diasporës.

Kryeministri Zaev kishte theksuar se për këtë shtyrje e kishte marrë “bekimin” edhe të partnerëve shqiptarë të koalicionit, ndërkohë që opozita shqiptare, AAA dhe Aleanca për Shqiptarët, kishin insistuar që regjistrimi të vazhdojë sipas ligjit dhe se argumentet që ndërlidheshin me pandeminë ishin të paqëndrueshme. Në fakt, përgjithësisht në opinion shtyrja e regjistrimit për arsye të pandemisë dukej e papranueshme, ndërkohë që hija e dyshimit po rikthente reminishenca të tjera që ndërlidheshin me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe që normalisht ndërlidheshin edhe me të drejtat e tyre, të cilat mbeten të determinuara nga formulimi tërësisht problematik i përqindjes.

Pikërisht kjo shtyrje e regjistrimit duket se ndërlidhet me narracione paraprake të ndërtuara nga disa subjekte politike maqedonase, nëpërmjet të cilave atakoheshin të drejtat e shqiptarëve. Në fakt, këto mbeten narracione tashmë të stërpërsëritura, të cilat e shohin shtetin e Maqedonisë së Veriut si një shtet monoetnik, ndërkohë që çdo realitet interpretohet pikërisht mbi bazë të kësaj qasjeje të njëanshme dhe të një fobie irracionale nga numri i shqiptarëve dhe të drejtat e tyre në shtet. Pikërisht edhe takimi i dy liderëve maqedonas për ta shtyrë regjistrimin interpretohet tashmë në këto koordinata fobie etnike, që tashmë po orkestrohej në një lojë politike në kundërshtim me proklamimet paraprake, sidomos të kryeministrit Zaev.

Ndërlidhja e të drejtave me përqindjen e shqiptarëve tashmë është parë si problematike në përkufizimin e barabarësisë së plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pikërisht ky koncept anakronik dhe i padrejtë i përqindjeve, me gjasë, ka reflektuar gjatë tërë kohës edhe te një perceptim dhe qëndrim anakronik dhe tërësisht i ngarkuar me fobi irracionale për numrin e shqiptarëve në shtet.

Një problem më vete, sipas shumë analistëve politikë, paraqet edhe definimi në kushtetutë si “20 për qind” i shqiptarëve, prej nga realisht vlerësohet se burojnë të drejtat e tyre gjuhësore, kulturore dhe të përfaqësimit. Pikërisht ky definim tashmë duket se ka dhënë shenjat e para të politizimit të regjistrimit. Ka një tendencë nga disa subjekte politike për ta politizuar çështjen e regjistrimit, që ta kthejnë nga rrafshi i metodologjive objektive rigorozisht të përcaktuara në një arenë mobilizimesh populiste. Janë parti të opozitës maqedonase që tentojnë ta shndërrojnë çështjen e regjistrimit në një kauzë për përfitime politike. Nga kjo lojë tashmë nuk mund të amnistohet as LSDM-ja, por në një farë mënyrë edhe të gjitha subjektet e tjera politike që janë pjesë e qeverisë. Me gjasë, ky politizim do të vazhdojë për të krijuar një lloj mosbesimi ndaj procesit të regjistrimit. Sidoqoftë, përveç dimensioneve të tjera, që ndërlidhen me praninë autentike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriut, çështja e regjistrimit ndërlidhet edhe me definimin problematik dhe, siç është cilësuar edhe nga subjektet politike në bllokun politik shqiptar dhe nga aktorë të tjerë të jetës publike, nënçmues të shqiptarëve në kushtetutë si 20-përqindësh, që mbetet një problem real për t’u zgjidhur. Dikush gabimisht i kupton të drejtat e shqiptarëve, ardhmërinë dhe kohezionin shtetëror që, nën hijen e përqindjeve, të japësh apo të marrësh të drejta. Ky nuk duhet të jetë një koncept në ndërtimin e shtetit për shkak se shqiptarët janë entitet historik, kulturor dhe gjuhësor që kanë legjitimitet historik dhe të drejtat e tyre burojnë nga kjo premisë pranie e padiskutueshme historike dhe bashkë me këtë edhe premisë e ndërtimit të një shteti të përbashkët europian me paradigmat tashmë të njohura të interkulturalitetit. Ky fakt pastaj e determinon idenë e objektivitetit pa asnjë politizim të regjistrimit në funksion të projeksioneve kulturore, arsimore, ekonomike dhe, përgjithësisht, demokratike.

Pra, regjistrimi duhet të jetë me të gjitha premisat një operacion objektiv për ta nxjerrë numrin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut përtej tendencave për politizim. Sigurisht, gjithë kjo tashmë po vihet në pikëpyetje nga lojërat politike, por edhe nga mosbesimi që tashmë duket se do ta përcjellë opinionin deri në shtator, kur edhe duhet të bëhet regjistrimi në bazë të vendimit të parlamentit, që nënkupton shtyrjen.

Pamja e njëanshme e takimit të dy liderëve maqedonas për shtyrjen e regjistrimit lëshon hije dyshimi për realizimin e këtij operacioni statistikor dhe me të drejtë ngjallë pasiguri dhe mosbesim në opinion. Mbetet të shihet nëse do të kemi vetëm shtyrje të regjistrimit ose, ndërkohë, do të kemi edhe makinacione të tjera për ta minuar tërësisht këtë proces kaq të domosdoshëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë qytetarëve të saj. Vendimi për shtyrje ka shpërfaqur në opinion hamendësime që ndërlidhen me numrin e shqiptarëve, sidomos të diasporës, e cila mbetet pjesë e pandashme e numrit të përgjithshëm, sepse ata i takojnë këtij shteti dhe çdo tendencë për t’i përjashtuar nëpërmjet formulimeve “evidentim” do të ngjallë kontestime të tjera politike, të cilat me siguri që do të determinojnë edhe antagonizma të thella etnike.

Ky tekst fillimisht është botuar në Revistën Shenja

Opinione