Një epidemi mashtrimesh

Një epidemi mashtrimesh

Nga Erion Dasho

Të gjithë i mbajmë mend fillesat e pandemisë në Shqipëri. Një kryeministër i përçartur që mori rolin e babait të kombit dhe vendosi gjithë popullin në një karantinë të paprecedent dhe totalisht të panevojshme. Ndërkohë lakenjtë e vet dilnin studiove televizive dhe mashtronin duke bindur qytetarët e terrorizuar se Shqipëria po menaxhonte pandeminë 10 herë më mirë se Gjermania dhe 50 herë më mirë se Italia.

Mashtrimi i parë që i hapi rrugën një serie të gjatë mashtrimesh!

Në kushtet kur OBSH po rekomandonte trinomin tashmë të famshëm Testo-Gjurmo-Trajto, “kompetentët” e qeverisë sonë argumentonin studiove televizive se testimi ishte i panevojshëm. Taktika kishte vetëm një qëllim. Duke mos testuar, numri i rasteve dukej i vogël dhe situata nën kontroll. Mashtrimi i dytë, pati pasoja katastrofike! Duke mos testuar dhe gjurmuar, një infeksion plotësisht i kontrollueshëm u la të përhapet i lirë duke shkaktuar një tragjedi njerëzore me qindra mijëra të infektuar dhe mijëra të vdekur!

Të vdekurit u bënë subjekti i mashtrimit të tretë. U shfrytëzua çdo marifet i mundshëm për të ulur artificialisht numrin e të vdekurve: duke mos testuar, duke mos testuar në kohë, duke mos raportuar të vdekurit në shtëpi apo spitale private dhe duke raportuar vetëm gjysmën e të vdekurve në spitale! Sot Shqipëria raporton zyrtarisht 2,400 të vdekur. Numri real?! Të paktën 5 fish më i lartë!

Mashtrimi i radhës u bë me kujdesin shëndetësor. Njerëz që duheshin çuar dhe ende duhen çuar për ndjekje penale u shpallën “heronj”, ndërkohë që njerëzit të cilët duhen shpallur realisht heronj, janë pushuar nga puna dhe lënë në rrugë! U deshën “tiret” dhe demaskimi i sa e sa skandaleve të tjerë për të kuptuar sa i thellë ishte ky mashtrim dhe se sa i kalbur ishte në fakt sistemi shëndetësor.

Ndërkohë që familjarët e personave që ishin duke vdekur paguanin 1 mijë euro për një bombol, 100 euro për oksigjenin ditor dhe 50 euro për infermierin që vinte të bënte një injeksion në shtëpi, pa pikë turpi mashtrohej publiku duke e bindur se spitalet tona ishin po aq të mira sa edhe ato europiane!!! Spitalet ku nuk shpëtoi asnjë i intubuar i vetëm!!!

Për të ardhur tek mashtrimi me vaksinën, i cili ndryshe nga mashtrimet e tjerë, ishte një mashtrim i shumëfishtë dhe serial.U sollën vaksina kineze, të blera nëpërmjet Turqisë dhe u injektuan masivisht në popullatë. Duke i mashtruar shqiptarët se këto ishin rrugëzgjidhja e vetme, ndërkohë që mund dhe duhej të ishin siguruar vaksina Moderna dhe Pfizer. Propaganda qeveritare pretendonte se vaksina kineze po i mbronte qytetarët nga sëmundja. Kur ky mashtrim doli zbuluar, u kalua tek mashtrimi i radhës, se vaksina të mbron nga komplikacionet dhe shtrimi në spital. Kur edhe ky mashtrim doli në dritë, u tha se të mbron nga vdekja!

Deri sa dolën Seishellët ku vaksina kineze nuk po i mbron qytetarët e atjeshëm as nga sëmundja, as nga shtrimi në spital dhe as nga vdekja! Megjithëse 100% e popullsisë së atjeshme është vaksinuar me sy doza! Apo Turqia dhe Kili ku numri i rasteve dhe vdekjeve arriti pikun me gjithë vaksinimin e “suksesshëm” me vaksina kineze!

Fatmirësisht shqiptarët tashmë po arrijnë imunitetin e tufës! Me një kosto të tmerrshme jetësh njerëzore, prej jo pak por mbi 12 mijë të vdekur nga COVID! Aq i lartë është ky numër vdekjesh, sa për herë të parë në shumë shekuj, numri i lindjeve gjatë 2020-ës, u barazua me atë të vdekjeve, ndonëse diferenca një vit më parë kishte qenë mbi 7,000 lindje më tepër!

Qeveria ndërkaq po e mbyll siparin me supermashtrimin e radhës, se qetësimi i situatës epidemiologjike sot lidhet me “masat e suksesshme” dhe “vizionare”. Ndërkaq është provuar katërcipërisht se rënia e kurbës së rasteve dhe asaj të vdekjeve lidhet me imunitetin natyror të arritur nga përballja e egër me pandeminë. Me koston e 12 mijë jetëve të humbura, 1.5 milion infektimeve dhe 150 milionë eurove të shpenzuara nga xhepat e qytetarëve!!!

Shqiptarët e kanë vetë në dorë! Të besojnë qeverinë që po përpiqet t’i bindë se ata nuk u sëmurën dhe nuk vdiqën në 2020-ën dhe 2021-in dhe se ajo që ndodhi në Shqipëri ishte “normale”, apo të kërkojnë llogari për tmerret e një viti tragjik.

Zgjedhja është e qytetarit shqiptar! Në se harron edhe vdekjet, pak të zeza kanë mbetur akoma për t’i bërë…

Opinione