FLAMURI I DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË PRISHTINË, KA MBIJETUAR PËR 40 VJET NË SHIPKOVICË TË TETOVËS

FLAMURI I DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË PRISHTINË, KA MBIJETUAR PËR 40 VJET NË SHIPKOVICË TË TETOVËS

Një dëshmi e rrallë dhe tepër e çmuar

FLAMURI I DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË PRISHTINË, KA MBIJETUAR PËR 40 VJET NË SHIPKOVICË TË TETOVËS

Dita e djeshme ka qenë pak më e veçantë, për mua dhe shokët e mi të idealit, organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981, në Prishtinë dhe gjithandej në Kosovë.

Pas dyzet vjetësh e kam gjetur Flamurin, i cili është valëvitur në këto demonstrata, të cilin nëna ime, tanimë e ndjerë, e ka fshehur të mos e konfiskojë policia, duke e qepur brenda palëve të një jorgani, pas arrestimit tim atëkohë, e frikësuar se do të bëjnë bastisje të përgjithshme në shtëpinë tonë gjatë ditëve në vijim.

Pas shpërthimit të demonstratave nga studentët e Universitetit të Prishtinës, më 11 mars 1981, shtypi zyrtar, organet e pushtetit dhe një pjesë e drejtuesve dhe profesorëve të Universitetit, dëshironin që këto demonstrata t’i paraqesin si revoltë e studentëve, protesta me karakter social, për ta fshehur karakterin politik dhe kombëtar të tyre, ashtu siç vërtet e kanë pasur ato.

Këto tendenca i shfaqnin hapur edhe disa profesorë të Fakultetit Filozofik, ku studioja unë, të cilët kryesisht ishin me orientim jugosllav dhe anëtarë të Partisë Komuniste. Këtë qëndrim janë munduar të na imponojnë edhe ne studentëve. Për këtë jam dëshmitar, sepse gjatë marshimit në ballë të këtyre demonstratave, më 11 mars, të parët që janë munduar të na bindin të heqin dorë nga kërkesat politike kanë qenë dy anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prof. dr. Syrja Pupovci dhe prof. dr. Hajredin Hoxha, me të cilët kemi biseduar para Rektoratit të atëhershëm, në afërsi të RTP, të cilët me këmbëngule donin të na bindin, mes tjerash edhe për drejtimin e kolonës së studentëve demonstrues në sallën e sporteve “25 Maji”, ku do të bisedonin me organet e Universitetit dhe përfaqësuesit e pushtetit për kërkesat tona “me karakter social”, për standardin e studentëve dhe kushte më të mira për studime dhe jetë studentore.

Më 1 dhe 2 prill, këto demonstrata morën kahen e duhur, kur edhe u artikuluan hapur kërkesat tona politike, ndërsa pushteti i ashpërsoi masat e dhunshme dhe filloi me represalje, duke ushtruar terror mbi demonstruesit, studentët dhe qytetarët shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera, që kërkonin hapur liri, barazi kombëtare dhe vetëvendosje, avancimin e statusit kushtetues politik të Kosovës, nga krahina autonome në Republikë.

Më 1 prill, në orët pasdite, masa e mbledhur, studentë, punëtorë, qytetarë, nga Mensa e studentëve në drejtim të qendrës së qytetit, mbi Fakultetit Juridik/Ekonomik dhe SHLP, kordonët e policisë e ndaluan kolonën e demonstruesve; ndërkohë që masa e demonstruesve po rritej gjithnjë e më tepër (me ardhjen edhe të punëtorëve të Kombinatit “Ramiz sodiku” etj.), edhe radhët e forcave speciale të policisë forcoheshin dhe bëheshin gjithnjë e më agresivë ndaj demonstruesve.

Unë nuk e di se çfarë kanë bërë të tjerët, të cilët ka vite që shkruajnë dhe shiten si organizatorë të këtyre demonstratave, por mbaj përgjegjësi për këtë që po e shkruaj. Nuk më bëri përshtypje të duhur mënyra e organizimit, përderisa kishim kërkesa politike të qarta, kryesisht lidhur me statusin e Kosovës Republikë, nuk mund të ishim të qarta dhe të plota kërkesat tona pa Flamur kombëtar, siç ishte zakon në demonstratat me karakter të këtillë, kudo në botë. Përderisa masa e revoltuar vlonte në njërën anë, ndërsa në anën tjetër vërehej nervozë e papërmbajtur në radhët e policisë (sigurisht me tyre kishte edhe djem me dashuri në zemër për kombin, lirinë dhe Kosovën), më ra ndërmend dhe thirra disa shokë që i njihja afër meje, për ta plotësuar këtë mungesë të Flamurit kombëtar në demonstratë, për t’ua dhënë karakterin e duhur.

Njërin nga flamujt që u sollën për pak çaste e kisha në banesën time (ky që shihni në fotografi, pas 40 vjetësh), ndërsa dy flamuj të tjerë i kemi marrë në banesën e shokëve të mi studentë, XH.M. nga Shipkovica e Tetovës dhe H.D. nga Dibra (janë dëshmitarë të gjallë), të cilët banonin atëkohë në Rrugën e Sharrit, nr. 30 (shtëpia e Veli Tavërlanit), ku banonin edhe shumë studentë të tjerë nga Maqedonia. Njërin nga ata flamuj ia dhamë një punëtori nga Kombinati “Ramiz Sadiku”, të cilin e lidhi me shpejtësi dhe e ngriti mbi bishtin e një kazme që mbante në duar, ndërsa tjetrin ia lidhëm për një shtize të improvizuar, purtekë nga një filiz i hollë që shkulëm nga ato që mbjellin shërbimet e qytetit për mirëmbajtjen e parqeve dhe pemëve gjelbëruese. Dy flamujt që i morëm në banesën e shokëve të mi, ishin të sjellë nga Republika e Shqipërisë (sipas dimensioneve (1×1,5 m), më të vegjël se ato që përdoreshin në Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, me dimension më të madh (2x1m), që përdoreshin zyrtarisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974.

Ky do të ishte një rrëmim i shkurtër për këtë Flamur. Uroj që Muzeu i Kosovës të ketë siguruar deri më sot ndonjërin nga këta flamuj (të tjerë nuk ka pasur në demonstratën e 1 prillit në Prishtinë, por sigurisht ka pasur në qytete të tjera dhe në ditë të tjera sa kanë zgjatur demonstratat e mëdha të vitit 1981 në Kosovë), nëse kanë arritur të mbrohen dhe ruhen në duart e demonstruesve, të cilëve u janë besuar atëkohë. Njëri nga këta flamuj që ka valuar në ato demonstrata dhe është mbrojtur me forcë nga duart e policisë (siç shihet nga cepat e dëmtuar, jo nga vjetërsia), ka dashur fati të mbetet dëshmi e atdhedashurisë dhe sakrificës së brezit tim për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

(9 korrik 2021)

Fotografia: Flamuri i kujtesës dhe krenarisë në duart e dy vajzave të mia, të cilat janë kujdesur për rikthimin e shkëlqimit të Tij.

Lajme Maqedoni