Tetovë, kamerieret femra pushtojnë lokalet

Tetovë, kamerieret femra pushtojnë lokalet

Në Tetovë periudhën e fundit ka shumë lokale ku hasen femra të cilët punojnë si kameriere. Këto punëtore shprehen se krahas shumë paragjykimeve, megjithatë janë pranuar shumë mirë edhe nga mysafirët

Urim HASIPI

Tetovë, 22 qershor – Nëse do të ishte në ndonjë vend tjetër nuk do të përbënte lajm. Megjithatë në Tetovë, nëse në shumë lokale hasim femra kameriere, me siguri se përbën lajm. Deri më tani kjo ka qenë një tabu temë dhe pothuajse e paimagjinueshme, por kohëve të fundit shumë femra, kryesisht studente, kanë vendosur që të punojnë qoftë si kameriere qoftë në banak.

Andresa Koxha është kameriere në një lokal afër qendrës së Tetovë tashmë dy vite. Ajo thekson se është një eksperiencë e mirë dhe nuk është aspak e rëndë që të kryejë këtë punë, pavarësisht se deri para pak kohësh ky profesion në këto hapësira për një femër shqiptare ishte pothuajse një mision i pamundur. Ajo shprehet se edhe më tej do të punojë në këtë profesion. “Momentalisht punoj në banak dhe varësisht nga kërkesa e klientëve bëj kafe, lëng pemësh, tortë, e kështu me radhë. Kafe Garden është një eksperiencë e mirë, mendoj akoma të vazhdoj të punoj, por këtu shumë paragjykohemi nga komuniteti, nga rrethi, sepse është një profesion jo i zakonshëm për femrat. Vajzat nuk jemi mësuar që t’i shohim në këtë profesion, por është mirë të punosh sepse edhe socializohemi, por jemi edhe zot të vetes tonë për të qenë të pavarura financiarisht”, deklaroi Andresa Koxha, kameriere në kafenenë Garden.

Këto punëtore shprehen se krahas shumë paragjykimeve, megjithatë janë pranuar shumë mirë edhe nga mysafirët. “Në vendet Evropiane e dimë se kjo më herët ka qenë si dukuri, femra ka qenë e lirë të punojë, por në Maqedoni, Tetovë apo edhe në Kosovë, femra ka qenë më e ndrojtur për të punuar si kameriere. Mirëpo, kohëve të fundit jemi çliruar në këtë aspekt dhe mund të punojmë edhe si kameriere edhe në banak. Mendoj se studentët edhe duhet që të punojnë, sepse mund edhe të sigurojnë mjete për studime dhe të shkollohen vet”, thotë Anis Murtezi, kameriere.

Por, si është për një kamerier mashkull që të ketë një femër kolege. Ata thonë se nuk është vështirë dhe njëkohësisht theksojnë se kamerieret femra janë kryesisht studente, të cilat punojnë për të mbuluar shpenzimet e studimeve. “Është një eksperiencë e mirë, sepse në Tetovë pak ka qenë problem që femrat të punojnë si kameriere për shkak të mentalitetit, por këtu ka më shumë studente që punojnë dhe shpresoj se ngadalë do të ambientohemi me këtë fenomen. Këtu tek ne kemi 5 femra që punojmë dhe më shumë kemi patur studente që kanë punuar. Dy punëtore aktualisht i kemi nga Tetova dhe shpresoj se edhe lokalet tjera do të kenë më shumë të punësuara femra si kameriere dhe si banakiere”, thotë Sherefedin Beadini, kamerier në lokalin Ultra në Tetovë.

Në Tetovë periudhën e fundit ka shumë lokale ku hasen femra, të cilët punojnë si kameriere. Njohës të rrethanave në vendin tonë potencojnë prapa kamerave se punësimi i femrave në sektorin e gastronomisë është edhe pasojë e ikjes së rinisë në vendet evropiane dhe ky sektor ka kuadër deficitar, dhe femrat tashmë si duket janë shpëtim i gastronomisë në këtë qytet. (koha.mk)

Lajme Maqedoni